Home Uncategorized A e vodhi rrymën? Zafir Berisha përplaset nga distanca me avokatin Besnik...

A e vodhi rrymën? Zafir Berisha përplaset nga distanca me avokatin Besnik Berisha

93
0

Avokati Besnik Berisha dhe Koordinatori Nacional për Siguri Kibernetike, kanë replikuar mbrëmë live në DPT te Fidani në T7, pasi avokati e mori shembull atë duke argumentuar se pse, sipas tij, kryetari i LVV-së, Albin Kurti s’ka të drejtë të përfshihet në listën zgjedhore për zgjedhjet e radhës. Besnik Berisha tha se anëtari i Nismës ishte dënuar për vjedhje, teksa ky i fundit e mohoi këtë, duke thënë se avokati nuk po e di mirë rastin, raporton Gazeta Express.

Besnik Berisha e mori shembull rastin e Zafir Berishës, duke thënë se ai ishte bërë precedent për ta vënë në diskutim këtë çështje, ndërsa tha se Gjykata Kushtetuese e rrëzon edhe vendimin e Supremes.

“Mos të harrojmë se precedenti në të cilin ishte ndërtu dhe Gjykata Supreme aso kohe kishte gjyku, ishte pikërisht për Zafir Berishën, tash koordinatorin për krime kibernetike, kishte vendos për dënimin po më duket ka qenë për vjedhje rryme, që është dënu me gjobë krejt.

Pra, atëherë Zafir Berisha ishte dënuar me gjobë – për vjedhje rryme, e nënvizoj – dhe si rezultat i këtij vendimi KQZ-ja fillimisht nuk e certifikoi, nuk e la të marrë pjesë. Ai iu drejtua PZAP-së, PZAP-ja ia refuzoi ankesën e tij dhe pastaj Gjykata Supreme vendosi që ‘gabim e keni, ia keni mohu të drejtën sepse gjykata nuk ia ka marrë këtë të drejtë’”, tha Berisha.

Ai shtoi se tash, Gjykata Kushtetuese s’i jep të drejtë Gjykatës Supreme, por vendimit të parë të KQZ-së për të mos e lejuar Zafir Berishën që të kandidojë në zgjedhje.

Pas deklaratave të avokatit, reagoi koordinatori nacional, duke thënë se s’është i dënuar për vjedhje të rrymës.

“Nuk është e vërtetë që jam dënu për vjedhje rryme, por për kyçje në rrjetin elektrik. Nuk është mirë me folë pa e ditë rastin më mirë”, tha Zafir Berisha.

Në replikë, avokati Besnik Berisha insistoi se Zafir Berisha ishte dënuar për këtë, duke thënë se kyçja e paautorizuar nënkupton vjedhjen e rrymës.

“Kyçje të paautorizuar a po? Kyçjet i kemi krejt Kosova, thuaj Zafirit, këtu është qëllimi. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë me qindra-mijëra konsumatorë që kyçen në rrjetin elektrik, por kur kyçesh në mënyrë të paautorizuar, i thonë me vjedhë”, tha Besnik Berisha. /Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here