Home Uncategorized Gastrononët kërkojnë lejimin e punës me porosi pas orës 19:00

Gastrononët kërkojnë lejimin e punës me porosi pas orës 19:00

113
0

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit për zgjatje të orarit të punës edhe pas orës 19:00 me porosi, shkruan GazetaBlic.Në këtë thirrje, gastronomët thonë se janë sektori më i goditur nga pandemia Covid-19.Ky është postimi i plotë i kësaj shoqate:

KËRKESË PËR LEJIMIN E VEPRIMTARISË “DELIVERY” PAS ORËS 19:00Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës me Nr. 01/42 të datës 11.11.2020, ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në 05:00 në komunat me rrezikshmëri të lartë.

Shprehimisht në këtë vendim nuk ndalohet shërbimi me porosi “Delivery”, mirëpo gjithsesi shprehimisht lejohet ushtrimi i këtij shërbimi në zonat komunale të tjera.

Sa i përket ndikimit të pandemisë në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.

Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.

Nga praktikat e vendeve të huaja në rajon dhe perëndim, përkatësisht në BE dhe SHBA (ku nuk është ndalur asnjëherë kjo veprimtari pavarësisht rasteve) e poashtu nga politikat mbështetëse të organizatave të specializuara ndërkombëtare, kemi shumë argumente të cilat rekomandojnë shërbimet me porosi “Delivery”. Këto shërbime tashmë po bëjnë bujë të madhe nëpër botë si pjesë e veprimtarisë së tregtisë elektronike apo “E-Commerce”, duke pasur rritje të jashtëzakonshme ekonomike në këtë lloj.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, lidhur me mbështetjen e politikave dhe portave të qeverisjes, kemi mjete të politikave dhe burime të ndryshme të cilat asistojnë shtetet duke u përgjigjur në luft imin e pandemisë COVID-19, ku kërkohet nxitja e tregtisë elektronike në kuadër të biznesit ushqimor.

Në Kosovë, sipas hulumtimit të SHGK-së, 51% e bizneseve kanë raportuar që nuk ofrojnë shërbimet delivery, pasiqë natyra e biznesit të tyre nuk e mundëson këtë veprimtari. 34% e bizneseve nuk e kanë ofruar këtë shërbim para pandemisë, mirëpo kanë krijuar një sistem të tillë gjatë pandemisë, kurse 21% përdorin një palë të tretë për ta ofruar shërbimin e njëjtë.

Shërbimet delivery jo vetëm që nuk paraqesin rrezik për shpërndarje të virusit, por edhe ndihmon njëkohësisht ata të cilët, prej orës 19:00 deri në orën 05:00, janë në vijën e parë të frontit në luftimin e kësaj pandemie, (nga të cilët kemi presion si shoqatë që të kërkohet që të lejohet një shërbim i tillë), mjekët me stafin e tyre, policinë e shtetit, dhe institucione të tjera përkatëse të cilët kanë nevojë të porosisin ushqim gjatë këtij orari. Krahas kësaj, ndihmohen edhe nënat tona, të cilat përveç punës së tyre, po kryejnë edhe punën e mësueses dhe kujdestares.

Përfundimisht, ne bëjmë shpërndarje të konsumit esencial – ushqimit.Rreziku për shpërndarje të virusit me shërbimin delivery është shumë i vogël, për të mos thënë se nuk ekziston fare, pasi që kontakti fizik nuk ekziston.

Porositë bëhen përmes telefonit, apo me çasje në internet, dhe të njëjtat shpërndahen me automjete zyrtare të pajisura me llogo, nga një vozitës i vetëm deri në destinimin përkatës.Lejimi i shërbimeve të dërgesës me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë, mundëson një qasje në shërbime të sigurta lidhur me mospërhapjen e infeksionit të COVID-19, dhe ndikon në uljen e ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës mbetet e zotuar që të ofrojë përkrahjen e parezervë për sektorin e gastronomisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke ofruar shërbimet e saj profesionale për tejkalimin e kësaj krize, si dhe për ofrimin e alternativave më të përshtatshme që efektet e kësaj krize të manifestohen me pasoja sa më të vogla.

Me mirëkuptim dhe bashkëpunim, presim përgjigje lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese, duke ju lutur që të aprovoni të njëjtën.Me respekt,

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here